Një kujtim i gjallë i vitit 1999 – Gruaja nga Tirana ribashkohet me vajzën nga Peja

Një moment prekës ka rikthyer kujtimet e dhimbshme, por edhe krenare, të luftës së Kosovës në vitin 1999. Një grua nga Tirana, zonja Lirie, është ritakuar pas plot 26 vitesh me një vajzë nga Peja, të cilën e mbajti në duar gjatë kohës kur familja e saj i hapi derën si strehë në ditët e errëta të luftës.

Sot, ajo vajzë është rritur, dhe bashkë me zonjën Lirie kanë rikrijuar fotografinë e dikurshme – një imazh që dikur përfaqësonte shpëtimin, ndërsa sot simbolizon dashurinë, mirënjohjen dhe lidhjet e pandashme mes shqiptarëve.

Takimi i tyre u bë në Pejë dhe u ndanë në rrjetet sociale nga Melisa Zekaj, duke prekur thellë mijëra shqiptarë anembanë botës.

Ky çast nuk është thjesht një ribashkim mes dy njerëzve, por një dëshmi e gjallë e humanizmit dhe solidaritetit që populli shqiptar tregoi në një nga momentet më të vështira të historisë së tij.