“A është ky fundi i Rhode siç e njohim? Hailey Bieber njofton vendimin e papritur”

Zërat për një marrëveshje të madhe qarkullonin prej javësh, dhe tani gjithçka është konfirmuar: Hailey Bieber ka shitur markën e saj të suksesshme të bukurisë, Rhode, te kompania e.l.f. Beauty, në një marrëveshje që kap vlerën e jashtëzakonshme prej 1 miliard dollarësh.

Një shifër mbresëlënëse për një markë të themeluar vetëm në vitin 2022, e cila, falë vizionit dhe ndikimit të Hailey-t në rrjetet sociale, u kthye në një nga emrat më të njohur në industrinë e bukurisë. Produkte si Peptide Lip Tint apo Pocket Blush u bënë virale, duke vendosur trende të reja dhe duke tërhequr një komunitet besnik konsumatorësh.

Në një postim në Instagram, Hailey e konfirmoi lajmin:

“Kur e lançova Rhode, kisha ëndrra të mëdha. Jam krenare që sot bashkohem me një partner që ndan të njëjtin vizion dhe që do ta çojë këtë markë në nivel tjetër.”

Ajo njoftoi se do të vijojë të mbajë një rol aktiv në drejtimin e markës, duke u bërë Drejtoreshë Kreative dhe Drejtore Inovacioni, si dhe këshilluese strategjike për e.l.f. Beauty.

“Ky është vetëm fillimi,” shkroi ajo, duke falënderuar ekipin e Rhode dhe komunitetin që ka mbështetur markën që në ditët e para.

Shitja jo vetëm që shënon një moment historik për Hailey-n si sipërmarrëse, por edhe tregon fuqinë e ndikimit personal dhe strategjisë digjitale në ndërtimin e një perandorie të vërtetë në kohë rekord.