80-vjeçarja e martuar me egjiptianin 34-vjeçar:”Si përfundoi martesa që habiti gjithë botën”

Një histori dashurie që dikur bëri bujë në Britani ka marrë një kthesë të papritur. Një 80-vjeçare britanike, e cila u martua me një 34-vjeçar nga Egjipti, ka vendosur ta përzë burrin e saj nga shtëpia dhe i ka kërkuar autoriteteve të mos ia rinovojnë vizën, duke e akuzuar se e ka mashtruar.

Pas dy vitesh martesë, gruaja shprehet e zhgënjyer thellë dhe pohon se është penduar për zgjedhjen e bërë. Ajo i ka kërkuar burrit që t’i kthejë 25.000 paund që i kishte dhënë si ndihmë financiare.

“Banka më paralajmëroi, policia më paralajmëroi, familja dhe miqtë më paralajmëruan. Por nuk dëgjova. U verbova nga dashuria,” – tha ajo për mediat britanike. “Ai nuk e meriton një vizë në Mbretërinë e Bashkuar me mënyrën si më trajtoi. Jam e shqetësuar se mund t’ia bëjë të njëjtën gjë edhe ndonjë gruaje tjetër.”

Historia ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku shumë e konsiderojnë këtë një rast klasik manipulimi emocional me qëllim përfitimi të vizës. Britanikja tashmë i bën thirrje publikut të jetë i kujdesshëm ndaj marrëdhënieve të dyshimta që mund të shndërrohen në zhgënjim.