Thursday, April 2, 2026
HomeALB49 mln euro tenderë/ Nga burri, te vëllai e vjehrri, harta e...

49 mln euro tenderë/ Nga burri, te vëllai e vjehrri, harta e kompanive të lidhura me Spiropalin; taksi, ndërtime dhe fonde publike

Një rrjet kompanish të lidhura me familjarë të deputetes socialiste Elisa Spiropali dyshohet se ka përfituar ndër vite fonde publike, tendera dhe prona shtetërore, në një periudhë që përkon me ngjitjen e saj në hierarkinë e pushtetit, duke ngritur pikëpyetje për konflikt interesi dhe favorizime të mundshme. Sipas të dhënave, përfitimet përfshijnë qindra mijëra euro nga tenderat publikë, si dhe dhënien me qira të 19 hektarëve tokë shtetërore për një periudhë 90-vjeçare.

Një rrjet kompanish në dukje të pavarura nga njëra-tjetra tregojnë gjurmët e duarve të deputetes socialiste Elisa Spiropali në paratë dhe pronat publike.

Përfitimet dhe lulëzimi i këtyre kompanive përkon me ngjitjen e zonjës Spiropali në shkallët e pushtetit të Partisë Socialiste, me mbështetjen e Edi Ramës, nga viti 2013 kur e emëroi drejtoreshë të Doganave, deri disa javë më parë kur e shkarkoi si ministre të Jashtme.

Një prej këtyre linjave interesi kamuflohet me kompaninë “Solomon Construction”, themeluar nga vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali, sot në pronësi të kunatës së saj Blerina Totaj, duke përfituar qindra mijëra euro para publike dhe 19 hektarë tokë publike për 90 vjet.

Në shtator të vitit 2022, bashkëshorti i Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj, themelon kompaninë “S T Consulting”, ndryshuar emrin në SALT, me objekt shit-blerje pronash, një fushë që në raportet e SPAK-ut konsiderohet si më kryesorja për pastrimin e parave. Krahas biznesit privat, Totaj rezulton njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues të DPSHTRR me pagë rreth 9 mijë euro në vit.

Më herët, Totaj ka qenë drejtor i Ujësjellësit të Fierit, ku i ka dhënë tendera kunatit (vëllait të Spiropalit), por rezulton edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë shtetërore të gazit Albgaz, si dhe drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST). Ndërkaq, në vitin 2023, bashkëshorti i zonjës Spiropali deklaron rreth 40 mijë euro të ardhura nga aktiviteti i kompanisë SALT shpk.

Në gusht të vitit 2013, disa muaj pasi Partia Socialiste fitoi zgjedhjet parlamentare, vëllai i Elisa Spiropalit, Enkli Spiropali, themeloi në Fier kompaninë “Solomon Construction”, me objekt import-eksport dhe tregtimin me shumicë e pakicë të artikujve të ndryshëm industrialë.

Në prill 2015, Enkli Spiropali ia shet kompaninë Marjus Memushajt, i cili është kushëriri i Salarjon Totajt.

Gjatë kohës kur kompania ishte në pronësi të vëllait të Spiropalit dhe pas kalimit formal në emrin e Marjus Memushaj, rezulton se ka përfituar para publike nga Ujësjellësi i Fierit, kur drejtohej nga Salarjon Totaj. Më 27 mars 2014, bashkëshorti në atë kohë jo zyrtar i Spiropalit, Salarjon Totaj, i jep një tender me vlerë 66 mijë euro vëllait të Spiropalit, Enkli Spiropali.

Pas akuzave publike, në një reagim në Facebook në shkurt të vitit 2019, zonja Spiropali tha se vëllai i saj nuk kishte përfituar fonde publike, duke mohuar evidencat dhe faktet që tregonin përfitimin në konflikt interesi, madje edhe në formë korruptive.

Nga viti 2014 deri në 2016, bashkëshorti i Spiropalit i ka dhënë rreth 350 mijë euro tendera kompanisë së vëllait të saj.

Në maj të vitit 2024, vëllai i Spiropalit, Enkli Spiropali, vendos t’i futet një tjetër biznesi. Ai themelon kompaninë e taksive “Blest Taxi” bashkë me Klodjan Kalldanin, me kapital 100 mijë lekë.

Administrator i kompanisë fillimisht caktohet Besmir Metani, i dyshuar si i përfshirë në biznesin kriminal të mashtrimit përmes call center-ave. Spiropali dhe Kalldani e nisën biznesin me një flotë prej 5 taksish.

Ndërkaq, kompania “Solomon Construction” e themeluar nga vëllai i Spiropalit përfundon në duart e kunatës së saj, Blerina Totaj. Në tetor 2021, Marjus Memushaj e shet kompaninë “Solomon” tek kompania “Fortes Construction” për 120 mijë euro. Duket si një shitje reale, por të dhënat sugjerojnë se kompania po kalon nga njëra dorë e besuar në tjetrën.

Kompania e projektimit dhe ndërtimit “Fortes Construction”, e cila bleu “Solomon”, është një tjetër linjë biznesi e lidhur me bashkëshortin e Elisa Spiropalit, Salarjon Totaj. Kompania, e themeluar në vitin 2015 me zyra në Tiranë, është në emrin e dy kunatave të saj, Blerina dhe Luranda Totaj.

Kjo kompani operon kryesisht si nënkontraktore e firmave që përfitojnë fonde dhe koncesione publike, duke qarkulluar çdo vit qindra mijëra euro. Blerina Totaj rezulton një nga nyjet kryesore të këtyre interesave të lidhura.

Përmes kompanisë “Solomon Construction”, është siguruar edhe një kontratë qiraje 90-vjeçare me Ministrinë e Bujqësisë për kultivimin e ullinjve në një sipërfaqe prej 19 hektarësh tokë shtetërore në Patos.

Sipas dokumenteve zyrtare, kjo sipërfaqe është dhënë me qira me një vlerë prej 465 mijë lekë të reja në vit, ose rreth 40 mijë lekë në muaj. Qëllimi i kontratës është kultivimi, prodhimi dhe tregtimi i ullirit për vaj dhe tavolinë.

Krahas përfitimit të pronës publike, kompania “Solomon Construction” vijon të përfitojë edhe fonde publike, ndonëse në vlera më të ulëta.

“BIOFOOD’S” është një tjetër kompani në pronësi të vjehrrit të Elisa Spiropalit, Luan Totaj. Ajo operon në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të produkteve ushqimore dhe industriale dhe ndodhet në zonën e Frakullës së Madhe, në aksin Levan–Tepelenë.

Tre vite pas themelimit, kompania i është shitur shtetasit Beqir Ahmeti për 20 mijë euro.

Ndërkohë, interesat kryesore financiare të dyshuara lidhen edhe me studion e projektimit, supervizionit dhe kolaudimit “ARKONSTUDIO”. E themeluar një vit pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, kjo kompani ka përfituar dhjetëra milionë euro nga fondet publike.

Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, “ARKONSTUDIO” raportohet të ketë përfituar rreth 49 milionë euro nga buxheti i shtetit, duke ngritur pikëpyetje mbi lidhjet dhe ndikimin e mundshëm të interesave familjare në këto përfitime.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments