Shoferi me origjinë polake i kamionit që u përplas me furgonin që transportonte tifozët e PAOK-ut në Rumani është shprehur i tronditur nga aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë, ku humbën jetën shtatë persona.
“Kam drejtuar kamion për 34 vite dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Kam përshkuar mbi një milion kilometra dhe kjo është hera e parë që përballem me një situatë kaq të rëndë”, deklaroi ai për medien rumune Libertatea, duke përshkruar momentet dramatike që ndodhën brenda pak sekondash në autostradën DN6, e njohur nga vendasit si “rruga e vdekjes”.
Sipas mediave rumune, aksidenti i djeshëm konsiderohet më i rëndi i regjistruar në Qarkun e Timisoarës në të paktën 20 vitet e fundit.
