Ministrja për Evropën dhe punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me kërkesën për 4 ish-krerët e UÇK-së, për të cilët u kërkua nga 45 vite burg ndaj secilit.
Në lidhje me këtë Spiropali shkruan se kjo vendimi i marrë është i padrejtë dhe i pabarabartë përballë krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj kosvarëve.
“Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare” shkruan Spiropali.
Më tej ministrja shpreh shqetësimin e saj për burgosjen e ish-krerëve të UÇK-së të cilët organizuan luftën çlirimtare për pavarësinë e vendit të tyre.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri”, shton më tej ministrja.
Kujtojmë se ditën e sotme Prokuroria Sepeciale e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, në seancën për deklaratat përmbyllëse në këtë proces gjyqësor. Pra në total ata do të shlyejnë 180 vite burg.
