Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka thirrur për dëshmi biznesmenin Ilir Shtufi, pronar i kompanisë “Nova”, në kuadër të hetimeve që lidhen me tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, procedurë e dyshuar si e paracaktuar.
Shtufi ka dëshmuar përpara hetuesve në kuadër të hetimit që përfshin edhe zv/kryeministren Belinda Balluku, lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procesi i prokurimit. Kompania e tij, në bashkim me një shoqëri tjetër, rezulton fituese e tenderit shumë milionësh.
Në dëshminë e dhënë më 8 dhjetor 2025, Shtufi ka sqaruar rrethanat e bashkëpunimit me shoqëritë e tjera pjesëmarrëse në garë. Ai ka deklaruar se fillimisht ka hezituar bashkëpunimin me kompaninë “Euroteorema Peqin”, pasi kjo e fundit kërkonte të merrte mazhorancën e punimeve.
Sipas tij, situata ndryshoi pas disa kërkesave për takim nga Evis Berberi, i cili në atë kohë ishte titullari i autoritetit kontraktor për tenderin në fjalë.
“E pranova takimin, duke qenë se Berberi ishte titullari i autoritetit kontraktor për tenderin ku kompania ime synonte të konkurronte. Pas këtij takimi vendosa të bashkëpunoj me ‘Euroteorema Peqin’”, ka deklaruar Shtufi para SPAK.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka ushtruar kontroll personal, si dhe kontroll në banesën dhe zyrën e biznesmenit.
Ilir Shtufi është një emër i njohur në sektorin e ndërtimit, ndër të tjera edhe si ndërtues i godinës së shumëpërfolur “Mali i Tiranës”. Ai është përmendur gjithashtu për lidhjet e tij me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Aktualisht, Shkëlzen Berisha rezulton se jeton me qira në një vilë në pronësi të Ilir Shtufit, e ndodhur në kompleksin rezidencial “Rolling Hills” në Tiranë.
Hetimet nga SPAK vijojnë, ndërsa pritet që dosja e Lotit 4 të Unazës së Madhe të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim.
